25
Ditët më kalonin nëpër hunde, e unë nuk ua ndjeja mungesën. Kisha humbur aq shumë peshë në një muaj sa arrija të ndjeja kockat e mia poshtë fustanit, e kjo gjë as që më bënte përshtypje.
Kur më binte të fikët prej urisë, gërmoja në mbeturinat që hidhnin përballë shtëpisë, dhe ushqimet që sillte Emili ia ktheja mbrapsht. Isha bërë gërnjare. Nuk doja të kisha pranë askënd që më shihte me sy keqardhës. Por, nga ana tjetër, vazhdoja të ndihesha e vetme dhe e braktisur.
I kaloja netët nëpër bare, me fustanet e mëndafshit veshur, të cilat burrat e Londrës i adhuronin aso kohe, ndërsa gratë e tyre visheshin akoma me copa të trasha e fustane të rënda princeshash. Njëri më pati thënë që i pëlqente mënyra si rrëshkiste dora e tij mbi fustan teksa më përkedhelte belin. Nga ana tjetër të tilla fustane janë më të lehta për tu hequr. Kështu e kisha më të lehtë të bëja dashuri pa arritur tu fiksoja fytyrat, edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë. Disa fytyra ishin të pamundura t'i harroja teksa skuqeshin e djersiteshin edhe në ato pak minuta, ndërsa disa të tjera më ngatërroheshin me të Tommas kur pinim më shumë rum seç duhej poshtë në bar.
Teksa po ecja në rrugë, një natë me re të zymta, e erë shkundëse, mu duk sikur e pashë Tommas të veshur me uniformë në cep të rrugës, pranë shtëpisë së Fredit. Ky i fundit nuk ishte kthyer akoma prej France dhe letrat që më kishte dërguar ishin akoma në postën e ngjitur poshtë ballkonit të rrënuar. (Doja t'i lexoja, por pastaj do ligështohesha edhe më shumë. Do mblidhesha kruspull mbi dysheme dhe do vajtoja tim' bijë.) Duke menduar se Tommas e ka marrë vesh për vdekjen e foshnjës tonë dhe ka ardhur për të më kërkuar renda tek ai. E përqafova me mall që nuk e dija se ishte brenda meje, dhe e putha lehtë mbi buzë dy-tri herë.
"Uendi!" -nuk ishte zëri i tij. Tommas kishte një zë ndryshe. Dallohej që ishte në dhimbje sa herë më thërriste në emër. U dëshpërova dhe e painteresuar u largova prej të panjohurit.
"Znj.Uendi!" - këtë herë zëri i tij mu duk bezdisës, ama fytyra e tij gati-gati ëngjëllore më ngjante si e njohur.
"Kush dreqin jeni ju?" - iu afrova ngadalë, lëmova duart në fytyrën e tij dhe ndala gishtërinjtë në buzët mishtore që kisha puthur veç një çast më parë. Unë e kisha parë diku atë, por fytyrat më ngatërroheshin edhe kur nuk pija.
"I fejuari i Emeli!" - ndjeva veç një sëmbim që u mbyt shumë shpejt. U inatosa me veten pse nuk arrija dot të ndihesha keq. U ktheva me mospërfillje dhe fillova të ngjitesha në oborr.
Atë natë ra sërish borë. Pashë të mbuloheshin kërcellat e trëndafilave me çarçafin e mistershëm për një kohë të gjatë, e më pas u shtriva për të fjetur në dhomën e ftohtë, pa e ndjerë të ftohtin.
Të nesërmen u zgjova në krahët e Fredit. Si dukej në letra kishte shkruar për rikthimin e tij. Dukej i paqtë ashtu. Ishte edhe më i pashëm se Tommas, por serioziteti që i vishej e bënte të rëndomtë në sytë e mi.
Kur u zgjua më pa tek e vëzhgoja dhe u skuq. U ndje në faj që e kishte zënë gjumi pranë meje, e iku rrëmbimthi.
I gjori djalë!
Unë nuk u ngrita prej shtratit, nga ana tjetër. Bënte shumë ftohtë e dhoma e zjarrit ishte në katin e poshtëm. Muret e holla sikur e mbanin të ftohtin shtrënguar, e rrezet e diellit i kthenin mrapsht. Në mesditë rrethova supet me një shall të trashë e zbrita poshtë duke çaluar. Akoma ndjeja dhimbje poshtë barkut e me Fredin nuk doja të shtiresha.
"Si ndihesh Uendi?"
Kishte gatuar omletë me proshutë, dhe shtrydhur portokej në një kanë qelqi me grykë të derdhur, me duart e tij. Teksa më pyeste, zhyste gjysmat e portokejve në kosh. Më pas mbeti i shtangur. Ndoshta nuk e dinte.
"E vdekur Fred. Sikur varrosa veten nën dhè."
Sa u trishtua. I mbinë lotët në sy aq shpejtë sa mbeti i palëvizur pranë tavolinës. Më hodhi një vështrim deri në majë të gishtërinjve të zbathur, si për ta bërë veten të ndihej më keq e më pas nisi të qante pa nxjerrë zë.
"Më vjen shumë keq Uendi. Ndofta nuk duhej të isha larguar edhe unë, e të të lija të vetme në këto kushte."
"Më vjen keq edhe mua Fred, që tu bëra barrë kështu, edhe pse ti ishe larg."
Fredin e kisha takuar më shpesh se Tommas gjithashtu, por e njihja shumë pak. Asnjëherë nuk e dëgjoja me vëmëndje kur më fliste. Rrija vështroja përtej syve të tij e trilloja mijëra arsye për trishtimin që mbante gjithnjë kyçur përtej dy horizonteve blu.
"T'i kishe lexuar ato dreq letrash Uendi!"
U afrua pranë meje, e me një guxim të pashoq më rroku pranë e më shkundi shpatullat, si për të më sjellë në vete. Ishte i zemëruar dhe unë nuk e kuptoja dot. Vazhdoja të mendoja se lotët që i fshinte aq shpejt me pëllëmbën e dorës ishin prej ndjenjës së fajit.
"Ç'do kishte ndryshuar Fred? Vallë një letër do e kishte ndryshuar fatin e tim' bije? Do më bënte më pak të mjerë në sytë e botës? Do më vështroje ndryshe edhe ti Fred, ë?"
I heshtur, i rrethoi duart rreth belit e më shtrëngoi në përqafim. Aty kuptova se më kishte marrë malli për të dhe përqafimet e tij mbytëse.
Arrija t'i dëgjoja rrahjet e zemrës, e gishtat që formonin rrathë të çrregullt në shpatullat e gërmuara. Nuk e di ç'dreqin më shkoi nëpër mend në ato momente. Anova kokën dhe kur i gjeta buzët ia putha në shenjë falenderimi. E ai më puthi mbrapsht plot dashuri. I etur e i përhumbur, më afroi krejt pranë vetes, e filloi të më thonte tërë brengat nëpërmjet një puthje, që më bëri të ndihesha krejt e vogël.
Nuk u ndje në faj kur u shkëputëm, e unë nuk dija të ndjeja as neveri për veten. Hëngrëm pa u ndjerë, e më vonë fjeta sërish.
Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro