Chào các bạn! Vì nhiều lý do từ nay Truyen2U chính thức đổi tên là Truyen247.Pro. Mong các bạn tiếp tục ủng hộ truy cập tên miền mới này nhé! Mãi yêu... ♥

24

Atë fund nëntori, shirat e ftohtë nuk ndalnin. Vërshonte uji prej vrimave të dritareve me korniza të drunjta, e shtrihej me drithërima në të ngrohtin e pakët që dilte prej oxhaku. Duart më ishin zbardhur e rrudhur. Barku më qe rënduar e vetmia më ishte lidhur lëmsh në grykë. I ati i Fredit kishte ndërruar jetë, ama Fredi nuk ishte kthyer akoma në shtëpi.
Me një letër të gjatë më tregoi se pas varrimit të të atit, zyra e kishte dërguar në Francë për çështje biznesi.

E dashur Uendi,

Po të shkruaj për të të informuar se po nisem për në Francë për çështje pune. Njëri nga kolegët, gjatë funeralit të babait më lajmëroi se duhej të niseshim menjëherë. Tani që po të shkruaj, ndodhem në tren, tërësisht i rraskapitur me ndjenjat zvarrë.
Më vjen jashtëzakonisht  keq që më është dashur të largohem, e të lë të vetme këto muaj!
Mendja ime do të jetë gjithnjë në shtëpi.

I yti Fred.

Isha aq e lodhur sa u shtriva në dyshemenë e njomë, pranë derës së ballkonit dhe qëndrova në heshtje. U mblodha kruspull me këmbët, që më preknin barkun e fryrë, duke ndjerë një dhimbje therëse në fund të tij. Shiu ngjitej në xhamin e hollë, dhe krijonte një zhurmë që ngjasonte me një klithmë  të përsiatshme. Dhimbja therëse u bë më e fortë. Përtej derës së xhamtë krisi një vetëtimë e ndriti natën e marrë. Prej dhimbjeve këmbët mu tërhoqën me shpejtësi teposhtë, sikur të mos isha unë ajo që i komandoja. Ndihesha e lagësht. Shiu mblodhi dhimbjen e vet e u largua në heshtje brenda pak minutave. Duart më ishin mbuluar me gjak.
Bërtita me të madhe për ndihmë, teksa zvarritesha për tek dera. Kur mbërrita tek telefoni pashë që uji i shiut ishte përzier me gjakun tim mbi dysheme. U tmerrova dhe nuk po më kujtohej kë duhej të telefonoja. Për fat para se të mbyllja sytë njoha Emelinë përtej portës.

Kur erdha në vete, përtej shikimit që më ishte mjegulluar dallova trishtimin në sytë e Emelisë. Ajo vazhdonte të luante me bishtat e flokëve të mi, e të fshinte lotët e saj me duart  e gjakosura. Unë isha akoma e tronditur. Mezi mbushesha me frymë në ajrin e rënduar të dhomës.

"Ç'ka ngjarë? Pse tërë ai trishtim në çehren tënde e dashur?" -picërrova sytë dhe i lëshova si dy rreze mbi fytyrën e vijëzuar prej lotëve.

"Oh Uendi..." - shpërtheu në vaj. Mbuloi gojën me duar e ktheu kokën pas, për në dysheme.

Vetëm kur bëra të ngrihesha për të patur një pamje më të qartë të dyshemesë, vura re që krevati me susta ku isha shtrirë ishte mbuluar me gjak. Barku sikur më ishte zvogëluar. Nuk doja të mendoja asgjë të keqe dhe po mundohesha ta mirrja veten me të mira derisa të zbuloja ç'kishte ndodhur në të vërtetë. Por, rruga prej krevati në dysheme zgjati sa një përpëlitje, që mjaftoi të thyente një ëndërr.

"Fëmija im?!" - ulërita dhe u ngrita zgupthi. Me hapa të çalë mbërrita tek ime bijë. Emeli e kish mbështjellë me një çarçaf të bardhë borë, që me siguri e kish tërhequr prej arkës të nënës së Fredit, dhe e kish braktisur në mes të dhomës, mbi dyshemenë akoma të njomë.
"Pse nuk merr frymë?" - i përngjaja më shumë një fantazme që i vërtitet një trupi në një makth të gjakosur. Para këmbëve  shtrihej një pjesë e imja e vdekur, e duke e parë atë të tillë vdekja më mori edhe të gjallën e mbetur.

"Uendi, të lutem!" - Emeli përpiqej të më mbante në këmbë. Ishte trishtuar tej mase ndërsa unë nuk arrija dot të kuptoja asgjë.

"Si ndodhi? Përse nuk arrin dot fëmija të mbushet me frymë?"

"Ka lindur para kohe Uendi. Është vetëm muaji i gjashtë i saj. Mushkëritë me siguri..."

U shkëputa prej duarve të saj dhe renda edhe një herë afër të voglës. Me ta rrëmbyer në krahë, një zë i mekur i fliste plot dashuri. I lutej të zgjohej e të nxirrte një tingull. Krahët e mi e përkundnin shkujdesshëm, ndërsa unë vetë qaja në heshtje. Edhe po të doja ti kontrolloja lotët, nuk mundesha më. Unë vdiqa atë natë e ajri që mirrja veç më godiste si mallkim.

"Duhet ta varrosim...!" - kërkoi ta rrëmbente prej krahëve të mi, e unë instiktivisht bëra pas e tunda kokën në shenjë mohimi.

"Jo tani Emeli! Jo tani që e mora në krahë!"

Ndoshta nuk do kisha qënë një nënë e mirë, por unë e dija se me përpjekje, do e gjeja veten në rrugë të tillë. Të menduarit për dështim, nuk më bënte aspak të ndihesha më e qetë. Shpirti im ishte shndërruar në zjarr. Sa më pranë t'i qëndroja bebes, aq më të vështirë e kisha ta lëshoja prej duarve.

"Në rregull Uendi."

Emeli u dorëzua. Më qëndronte fare pranë me sytë e mbyllur, që të mos haste në trupin e pajetë. Me siguri mendonte gjatë gjithë kohës për vajzën e saj. Qëndruam ashtu, të hallakatura me lotët nëpër faqe për pak kohë, mes gjakut dhe shiut e më pas renda si e marrë pa e kthyer kokën pas.

"Më mirë ta varros..."

Qiellin gri e shponin vetëtimat, e tek tuk sa të rëndoheshin retë ja krisnin vajit.  Gurët e kalldrëmit kishin udhëtuar me rrebeshin e po fundoseshin nëpër kanale. Këmbët e ftohta preknin baltën e qullët e zhurma që krijonin kishte të njëjtin ritëm me rrahjet e zemres time. Po ngjitesha në rrugëtirën e përtej kodrës, larg prej shtëpive me çati të këputur. Shiu dredharak kërkonte t'i puthte ballin vogëlushes e unë nuk kisha fuqi ta kundërshtoja. Disa metra më vonë Emeli kishte hequr dorë së ndjekuri dhe ishte ulur galuç në oborrin e një shtëpie. Unë ktheva vetëm njëherë kokën pas, kur arrita në majë të kodrës, dhe mallkova Londrën me zërin që më kishte mbetur.

Më pas gërmova me duar baltën, e putha të voglën në ballë dhe u shtriva pranë saj, duke shpresuar që të vdisja edhe unë. Kisha zatekur fundin.

Në një vit kisha humbur gjithçka që më ishte falur dhe unë nuk dija kë të mallkoja, që barra mbi mua të rëndonte pak më pak.






An:Kam pas në plan me e ba ma të gjat pjesën po snuk

Shifena goca 😂

Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro