2
Kur mbërrita tek biblioteka e Xhaxha Gordi trondita nja dy herë zilen tringëlluese dhe prita me këmbët e ngulura në llucë para murit të drunjtë që ta hapte. Ai zakonisht vonohej. Thonte që mezi i mblidhte kockat prej kolltukut në dhomën e ndenjës. Pastaj në moshën e tij e ecura e mpirë i jepte edhe dhimbje koke. Unë qëndroja para portës stoike duke gërryer baltën.
Dëgjova kërsitjet e portës së kaftë dhe të kolliturën e plakut Gord dhe i dhashë fund gërmimit me majë të këpucëve.
"Të prisja më vonë sot e dashur Uendi. Eja!"
Biblioteka kundërmonte erë kërme e këmbë të palara qëkur plakun e zinte gjumi mbi libra në mes të përsiatjeve. Mjegulla e tymit të vështirësonte shikimin dhe shpesh herë rrëzohesha në ndonjë grumbull librash të porsa-sjellë, të cilat Gordi më thonte që duhej ti sistemoja pasi të ngrihesha. Më pas ai dilte nga dera e pasme e ngjitej në katin e mësipërm për të marrë një sy gjumë. Nuk harronte asnjëherë të shtrëngonte dy libra të trashë nën sqetulla ose të më linte një copë Bara Brith* dhe një gotë çaji limoni të cilën e derdhja kur ai nuk më shihte.
Isha e sigurtë se ëmbëlsirën ia kërkonte pastrueses së tij posaçërisht për mua. Madje disa herë, e imagjinoja Belën duke më mallkuar në gjuhën italiane, që mua më dukej aq e shëmtuar. Atë natë ëmbëlsirën e vendosa në një cep të gazetës dhe e vendosa në trastë mbi libra me kujdes, që të mos shtypej, e më pas ngjita kapakët e librave të shkepur e fshiva pluhurin nga ato të paprekurit.
Kur isha në jetimore, kujdestarja na detyronte gjithmonë të lexonim ndonjë libër klasik. Ajo më shkulte bishtalecat e gjatë e më bërtiste të lexoja për të tërë duke qënë se unë gjithmonë tallesha me personazhet. Një herë më pat mbyllur në papafingo sepse teksa lexoja historinë e Romeos dhe Zhulietës, zërin e kësaj të fundit e bëja si të sorrës ndërsa vajzat e tjera shkriheshin vajit.
Si dukej kujdestarja kishte harruar që unë gjendesha në papafigon e mykur prej tri ditëve, e ishte kujtuar për mua vetëm kur kishte parë Anën me flokë nate të dredhur të vraponte me nje Bara Brith në duart. Në fillim kishte dëgjuar zhurmën e madhe kur kaçurrelsja e mefshtë ishte penguar në shkallën e fundit. Nuk i vija faj, sa herë kujdestarja na niste për ta pastruar shkalla e fundit duke qënë me e lartë, e rrëzonte gjithmonë kullën e Anës e unë gajisesha me të e më pas e ndihmoja të ngrihej.
Oh, atë natë pata filluar të dridhesha prej të ftohtit, e një miush i madh që nuk më hiqej këmbësh, ia doli të më shponte çizmet e lëkurës që i kisha dhuratë nga babai. Kur kujdestarja hapi derën për të përplasur brenda Anën lëshoi një klithmë që e trishtoi miun, i cili vrapoi me të katrat e doli nga cepi i xhamit të thyer të dritares trekëndore.
Nxitoi të më rrëmbente në krahë e gjëja e fundit që kujtoj ishte Ana që më shtrëngonte dorën duke buzëqeshur nën lotë.
Që prej asaj kohe i kisha zët vendet e mbyllura, e biblioteka e Xhaxha Gordit ishte mjaft e zënë, por më duhej tia dilja të ushqehesha edhe një natë tjetër.
Pasi përfundova librin e poezive që e pata nisur atë mesditë, e vendosa në raftin e fundit pranë derës së pasme. Ai ishte rafti i preferuar i xhaxha Gordit, të cilin e vajoste hera herës e më porosiste të mos i shisja askujt nga ai raft.
"Uendi, kujdestarja jote më ka shkruajtur një letër të ndjerë për ty, ku më tregon si ke humbur të dy prindërit tragjikisht dhe më kërkon që të kujdesem për ty, derisa ti të gjesh rrugën tënde."
Herën e parë kur takova xhaxha Gordin me shtysë të Heldonit, i cili e ndali makinën mu përpara shtëpisë së tij, më tregoi që kur kishin qënë të rinj ai dhe kujdestarja vetullngrysur që më rrihte çdo javë, por kurrë nuk më dërgoi më në papafingo, kishin qënë dashnorë derisa ajo u martua në Uells.
"E takoja rrallë herë në Uells dhe bënim dashuri si të çmendur nga malli dhe frika. Ajo ishte gruja më me pasion që kam njohur. Derisa i burri i vdiq në minierë dhe ajo refuzoi të më takonte. Më vonë mora vesh që kishte filluar punë si kujdestare. Ajo nuk u ktheu kurrë përgjigje letrave të mia por më shkruajti për ty. Si duket të vlerësonte shumë."
Nëpër mend atë ditë më vërtitej imazhi i kujdestares, që më tërhiqte për veshi e më thonte të mos u prisja më flokët vajzave të tjera.
Po atë ditë xhaxha Gordi vendosi dorën e tij të plakur plot rrudha me pikla çukash kaf e damarë të dalë mbi krahun tim e më tërhoqi pranë raftit të vajosur që vinte era mente.
"Këtu janë të fshehura botë e ndjenja, je e lirë të marrësh ç'të duash. Ndërsa pjesën tjetër të librarisë të duhet ta pastrosh gjashtë ditë në javë. Ndonjëherë edhe të shesësh në të. Unë nuk mundem dot më të mbaj gjithçka në këmbë."
E qeshura e tij e mbytur në kollë gjaku, më vriste akoma një pjesë të trurit edhe atë natë. Pra, prej Xhaxha Gordit dhe punës së tij në bibliotekë, arrija të nxirrja 30 ceiniog* përgjatë muajit.
Pasi ndërrova librat e poezisë me dy të tjerë , shënova në një copë letër bezhë kush kishte marrë libra me kthim, kush kishte blerë dhe ç'libra vendosa në trastë. Kyça derën e drunjtë e më pas çelësin e futa sërish brenda, poshtë derës.
Pastaj biçikletën e mora në duar dhe eca tri shtëpi më tutje për ti dhënë thatuqit pjesën time të ëmbëlsirës.
Edhe pse shumë i nënshtruar, Heldo ishte mjaft besnik e një shok i mirë. Që prej ditës së parë në tren veç më kishte dhënë këshilla ç'duhet dhe ç'nuk duhet të bëj. Unë nuk është se i ndiqja ato këshilla me përpikmëri por gjithmonë e dëgjoja pa e ndërprerë.
Nata në Truro ishte shumë e errët. Asnjë dritare nuk nxirrte tufa drite për të ndriçuar rrugët më kalldrëme. Djalosharët që pinin rum e më vonë ndiznin duhan nëpër qoshet e qytezës më ngjallnin krupë.
Kur kaloja pranë tyre, si për dreq frynte një puhizë e përplaste fustanin tim në këmbët e tyre. Ata gjithmonë qeshnin e mbanin njëri tjetrin në krahë për tu larguar.
Mbeta e vetme me këngët e gjinkallave të cilat ashtu si grija nuk i simpatizoja aspak. Shkunda hapat, me hov trokita rëndshëm në derën e Heldos e kur nxorri syrin e shtyva për t'iu fshehur natës. Megjithatë asnjë errësirë nuk do të më kishte turpëruar aq sa frika ime atë natë.
___________________________________________________
1* Bara brith- ëmbëlsirë në zonën e Uellsit e njohur ndryshe si bukë e mbushur me drithëra ose copëza çokollate e cila shoqërohet me çaj.
2* Ceiniog- monedha (kryesisht ari) që shkëmbeheshin në Angli gjatë viteve 1900.
An: si ju duket fillimi :》
Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro