Chào các bạn! Vì nhiều lý do từ nay Truyen2U chính thức đổi tên là Truyen247.Pro. Mong các bạn tiếp tục ủng hộ truy cập tên miền mới này nhé! Mãi yêu... ♥

18

Kur u ktheva në vilën e Gordit, të cilën e gjeta vetëm pasi i rashë përqark lagjes së Fredit nja dy herë për të gjetur daljen, u përpoqa të fshihesha prej shikimit të tij.
Por më kot. Më vonë një nga kujdestarët e shtëpisë mu afrua me hapa të heshtur dhe me zërin çuditërisht të pjekur e të ëmbël më rrëfeu se Z.Williams ishte nisur për në Bangor.

"Ai më kërkoi të ju tregoja se arsyeja e udhëtimit ishte jetë a vdekje. Nuk mund ta linte vdekjen t'i rrëmbente gjithçka." -citoi qëtësisht pranë meje dhe u zhduk më pas në hollet gjigande. Duke qeshur gjeta rrugën drejt dhomës së miqve dhe u përplasa mbi krevat. E dija që po shkonte pas kujdestares së jetimores. Ajo ishte gruaja e vetme që kishte dashur me të vertetë.

Duke pritur për kthimin e Gordit pata lajmëruar Tommas. Kështu nuk na duhej të flinim në krevatin me sustë të prishur të Fredit e ai në hotele të qelbura. Pas katër netëve Tommas më tha që i duhej të kthehej në Truro. Bëmë dashuri dhe më pas u dehëm me verë të shtrenjtë. Teksa po më zinte gjumi dëgjova hapat e Z.Rich të trokisnin në studion e Gordit. Mendova se do ishte vetëm një vegim i pijes. Kur u ngrita për t'i thënë Tommas që do kthehesha në Truro së bashku me të, e gjeta duke rrëmuar në sirtare.

"Po kërkoj për duhan." -ma preu shkurt, dhe më pas më tërhoqi prej krahu drejt dhomës sime që akoma mbante erë djerse seksi dhe alkool. Isha tepër e pirë për ta kundërshtuar.

Të nesërmen u zgjova me një dhimbje koke, e vetme dhe me përshëndetjen më të vakët që kisha hasur. U ndjeva e braktisur. Mendoja vetëm për Tommas dhe ndjeja sikur mos-prezenca e tij më mirrte frymën. A shndërrohej vallë dashuria në fiksim?

Mora t'i shkruaja një letër xhaxha Gordit. Kisha frikë se letra ime do mund të arrinte tek kujdestarja para se vetë Gordi të mbërrite atje. U pendova dhe zhubravita letrën. Më pas bëra një dush me ujë të ftohtë dhe hodha mbi lëkurë një fustan të bardhë veror. Coha mund të ishte e tejdukshme sepse e kisha qepur me astarin e fustanit të shëmtuar jeshil. Nuk kisha ndërmend të varrosja më njeri. Të paktën jo me atë gjënë veshur.

Pa Tommas nëpër këmbë, mund të shihja dhe shijoja jetën e borgjezëve. Ëndërrat e çdo jetimi. Ndërsa unë mendoja se po jetoja jetën që meritoja.

Pas çdo dreke një vajzë e vogël zeshkane me flokët e lidhura gërshet, më sillte një tas me fruta. Pavarësisht këmbënguljes sime për t'a ngrënë të dyja së bashku, ajo nxitonte të fshihej pas të ëmës. Një grua me tiparet me të bukura që kisha hasur.
Më pas ecja e vetme nëpër shtëpi. Herë bëja sikur i bija violinës të cilën kisha vite pa e përdorur. Më pas pikturoja, kryesisht Tommas.

Terri i natës na mblodhi në përqafim për tri javë të plota. Jeta brenda vilës u bë tejet monotone. Lindjet dhe perëndimet e diellit kalonin pa u vënë re. Sikur magjia e tyre poetike të ishte venitur. Nga ana tjetër nuk kisha marrë asnjë lajm nga Gordi dhe ndihesha tepër në ankth. Vendosa që të shqetësoja Fredin. E kisha hasur disa herë rrugës për në pazar dhe e dija që ai vazhdonte të ishte në Londër.

Nuk hezitova të trokisja si e marrë në portën e tij. Ai u gjend tek dera menjëherë duke mbartur një fytyrë plot habi.

"Më duhet të gjesh dy biçikleta dhe një rrugëtirë kodre! Dua të jetoj, Fred!

Ai ishte perëndimi i kuqërremtë më i qetë që kisha dëshmuar. Fredi ishte gjithshtu fjalëpak. Unë nuk doja të flisja po ashtu. Qëndruam nën rrezet përveluese të diellit dhe kthyem me fund një shishe verë të tërë.  Sa mall mbahej ngërthyer në supe për vajzën e vogël pa brenga që adhuronte fytyrat e qeshura që kishin prindërit? Sa rëndë peshojnë supet e asaj gruaje mbi atë bar?

"Përse e dashuron kaq shumë Tommas?"-pëshpëriti me zë të fikur, gati gati duke mallkuar.

"Nuk e di!"

"Ai as nuk të bën të lumtur Uendi."

Vallë unë doja më shumë të ndihesha sikur më donin sesa të isha e lumtur në të vërtetë?

"Dashuria e tij më bën të lumtur."

Fredi e dinte që kjo nuk ishte tërësisht e vërtetë, ama vendosi të mos ma përplaste fytyrës. Në sytë e tij dukesha krejt e vogël. Aty dukesha si në strehë. Më dukej sikur ai ndjente për mua, dhe thellë thellë kjo më jipte një kënaqësi. Me egon që fryhej mendoja se vinte edhe vetëbesimi. Një tjetër sipar gënjeshtrash.

Qëndruam në rrëpirë të kodrës për pak kohë, me hënën e plotë që ngjyroste mistershëm edhe fytyrat tona. Fredi më tregonte për të ëmën, mënyrën si ajo ishte tradhëtuar nga i shoqi, si vdiq e si jeton krejt i vetëm në mes të një bote kaq butësisht të egër. Fliste duke adhuruar çdo tingull që udhëtonte përtej gojës së tij. Unë veç vështroja. Përhumbesha në ato kujtime.
Më pas e pyeta si ishte njohur me Tommas. Në bisedë e sipër më tregoi se pavarësisht sa shumë e donte, nuk i pëlqente që ndante dhomën me të. Kur e pyeta në ndihej më mirë tani vetëm, ai më dëftoi që Tommas nuk është larguar. Me një mendim rrufe se ai më kishte gënjyer mbyta trishtimin derisa e harrova.

Udhëtuam gjatë me biçikleta. Flladet verore gjatë natës e bënin atë edhe më të hijshme.
Teksa po zbrisnim në të tatëpjetë, më rrëshkiti këmba prej pedales dhe këpuca më mbeti në kalldrëm. Fredi gajasej pas meje ndërsa unë qeshë mërzitur për lulen që i qe këputur këpucës. Tek e fundit nuk mundesha dot të ankohesha për kohën që kaloja me Fredin.
Mbi të gjitha ai ishte edhe argëtues. Derisa mbërritëm në vilë, ai u sigurua që barku  të më dhimbte prej të qeshurave.

Përtej dy pemëve mikpritëse në oborrin e vilës, u dëgjua një zhurmë makinë. Sa më shumë të ecnim ne, aq më shumë afrohej makina, aq më e lehtë për të parë kush qëndron mbi të ishte.

I patëm ndalur biçikletat e po prisnim që pas Gordit të zbriste edhe kujdestarja. Jo vetëm që u zhgënjyem por kur hasëm në fytyrën e Z. Williams edhe u trishtuam. Ai ishte i rraskapitur. Njollat e gjakut i ishin tharë mbi këmishën e bardhë. Sytë verbuar e buzët e rrudhura vetëm shfrynin. Kur më hasi me sy, lëshoi një grahmë dhe u rrëzua përtokë.

"Koha u tregua më e shpejtë se unë Uendi."- i pashë faqet e tij të mbuloheshin me lotë. Sa e trishtë ishte të shihje një figurë të tillë, me aq autoritet, të kridhej përdhe, kruspull si humbës.

"Ç'ka ngjarë Z. Williams?" - Fredi u përpoq ta ngrinte në krahë. Edhe ai u trishtua kur e pa në atë gjendje.

"Arrita ta shihja vetëm për të fundit herë. Kur mbërrita e gjetëm të vdekur në studio. A thua zoti të më ketë dënuar kaq ashpër mua? Nuk munda dot t'i rrëmbeja kohës asgjë miku im. Gordi humbi."

Ndonëse kujdestarja ishte e ligë, ajo mundohej që të paktën kur të dilnim prej jetimores të mund t'ia dilnim mbanë vetë. Po të mos ishte ajo unë mund edhe të kisha vdekur. U trishtova por nuk derdha asnjë lot. Më keq po më vinte për Gordin. Ishte katandisur si mos më keq. Trishtimi i ishte veshur në krejt posturën. Prej tij ishte kërrusur më shumë, duart kishin filluar ti dridheshin aq sa të mos mundtte dot të ndërronte as këmishën e gjakosur.  U ula në gjunjë pranë tij dhe e përqafova.

"Oh, bijë më vjen keq!" - pëshpëriti por unë kurrë nuk e kuptova pse ma tha.

Do e kisha vrarë mendjen më shumë po të mos ishte për një çerre kuajsh që ndali para këmbëve tona. Pashë Tommas të zbriste e pranë tij një i moshuar i kollarisur hundpërpjetë. Nga qëndrimi, dukej që ishte i ati.

Një valë zemërimi më kaploi tërë qënien. Tommas nuk ishte larguar për në Truro. Ai më kishte gënjyer.

"Humbe një tjetër herë Gord. Shtëpitë në Truro të janë konfiskuar. Banorët po paraqiten në zyra për të tërhequr banesat përkatëse. Duhet të largohesh edhe nga vila. Më përket mua tani."

Gordi i painteresuar qëndronte me gjunjët përdhe duke vajtuar nën zë.

"Tani nuk është koha e duhur Z. Rich. Tommas përse nuk e merr tët atë dhe largohuni që këtu!" - foli Fredi para se unë të mund të ngrihesha në këmbë për të bërë skandal.

"Je mirë Uendi?" - dallova shqetësim në sytë e Tommas. Isha e zemëruar me të por mënyra si u afrua të më pyeste ma theu aq shpejt barrierën.

"Sido që të jetë Gord, po të lë kohë deri në fund të muajit. Më pas unë shpall fitoren." -pasi foli u ngrit në majë të thembrave dhe u largua. Me shikimin e eger e tërhoqi dhe të birin pas vetes. Asnjë dashuri nuk e mposhtkërka ndjenjën e të qënurit i pranuar.

Ne mbetëm të tromaksur përdhe. Punonjësit e Gordit ishin mbledhur në hyrje të vilës dhe mbanin gojën me duar prej habisë. Të shihje një burrë të vdiste së gjalli ishte një magjepsje nga e cila s'të bëhej të hiqje sytë.









Ndoshta një pjesë të tretë ose të katërt nga darka xp

Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro