Chào các bạn! Vì nhiều lý do từ nay Truyen2U chính thức đổi tên là Truyen247.Pro. Mong các bạn tiếp tục ủng hộ truy cập tên miền mới này nhé! Mãi yêu... ♥

Pjesa 28.

Tik taku i orës e shqetësonte shumë se herët a vonë ai tik-tak do të sillte agimin, një ditë të re që ajo aq shumë e urrente. Donte të ndalte akrepat e orës, të pengonte rrotullimin e tokës e të ngelej përherë natë, kështu dhe ai shpirt i robëruar do të mund të pushonte.

Këmbët nuk i ndiente se tërë dita kishte qënë mëse e lodhshme. Si të mos mjaftonte kjo, në mbrëmje kishin ardhur mysafirë, ashtu pa lajmëruar siç e kishin zakon. Kishin ardhur kunatat e saj me gjithë fëmijë e, e gjithë pesha i kishte rënë asaj se duhet të plotësonte tekat e të gjithëve, darkën, ushqimet e preferuara, të merrej pas fëmijëve se ato duhet të bënin thashetheme me të ëmën e tyre, të dëgjonte pallavrat e burrave që ishin bërë tapë e s'dinin ç'thoshin dhe fjalët me kunja që kunatat i thoshin. Të gjitha këto e kishin lodhur, i kishin shtuar stresin se për dreq nuk ishte ndonjë grua e pjekur që të përballonte ato punë tërë ditën, pritje e përcjellje, ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe, po ishte në moshën e fëmijëve të tyre për dreq. Po si nuk pati një njeri me zemër që ta afronte a ta ndihmonte? Po si nuk pati një human në tërë atë kope njerëzish?

E tashmë qëndronte e shtrirë në shtrat fatmirësisht. Ajo gjithmonë e kishte dashur natën, por sot po i ndihej falenderuese. Vetëm falë saj ajo mund të qëndronte vetëm, nën prezencën e yjeve dhe hënës pa u shqetësuar nga askush. Falë zotit, Gjergji ishte pirë dhe s'kish pasur mendje tjetër përveç gjumit.

***

Kishte ditë që e kishte marrë vesh tragjedinë që i ndodhi shoqes së saj Proksimës dhe po gërryhej nga brenda pak-nga-pak. E ndiente veten fajtore, se në një farë mënyre dhe ajo e kishte nxitur të pranonte ndjenjat e saj karshi Gledisit, atij personi që e urrente më shumë sesa vetë Proksima. Po i ishte shkatërruar jeta një adoleshenteje mbushur tërë ëndrra për të ardhmen! Ishte fatkeqësi! Ishte tragjedi!

I tërë fshati kishte bërë bujë të madhe për të. Për ditë me rradhë tema kryesore e çdo bisede ishte Proksima, ose vajza e Fatosit. Kishin nga ata që i hiqnin kapelën të atit që e sistemoi të bijën, nga ata që ndienin keqardhje për vajzën e gjorë e nga ata që thoshin se turpi nuk lahet aq shpejt. Po njerzit këtë punë kishin! Ata vetëm me fjalë merreshin.

Edhe pse ai e martoi të bijën përsëri me fjalë merreshin, edhe nëse nuk do e martonte ata përsëri do flisnin. Njerzit do flasin sidoqoftë, e rëndësishme është që ndërgjegjia jote të jetë e pastër, e gjërat të bëhen ashtu si bëhet mirë për veten e familjen, jo për të tjerët.

A jetohet vallë vetëm për të kënaqur të tjerët? Është mizori...Jetën zoti ta ka dhënë për ta jetuar ti, jo dikush tjetër.

Në shkollë të gjithë kishin marrë lemerinë! Mësuesit ishin pikëlluar për atë vajzë të gjorë se e njihnin mjaft mirë, e u kishe ardhur keq për fatin e saj, por nuk donin të ngatërroheshin, në fund të fundit ishte bija e dy prindërve dhe pastaj nxënësja e tyre.

Vajzat ishin llahtarisur se e vinin veten në vendin e saj. Do të shkatërroheshin! Ama, kishte nga ato që fërkonin barkun, se shumë inat e kishin patur vajzën e përsosur të shkollës, e dalluar në mësime, sjellje shembullore dhe asnjë fjalë të keqe pas së cilës të kapeshin.

Djemtë mendoheshin dy herë para se t'i hidhnin grepin një vajze se disa mendonin që ishte fat për Gledisin që shpëtoi, ama kishte dhe të tjerë që u vinte keq, pasi e njihnin mirë që ajo kish qënë një vajzë e mirë. Kështu ishte ditët e para, se më pas, epo u harrua, ashtu siç do ishte harruar edhe nëse ajo nuk do ishte martuar.

Shkurt, të gjithë flisnin sipas qejfit të tyre, ama një vajze iu shkatërrua jeta. Po kush do ishte aty për ta vrarë mendjen për këtë gjë? Ajo ishte harruar tashmë e gjithësecili kishte vazhduar me jetën e vet.

Fjalët i merr era, po dhimbjet e lenë përgjithmonë plagë vendin e tyre.

-Ma, dua të shkoj tek Proksima.

-Eda, do i hapësh vetes probleme.

-Do shkoj dhe pikë.

-Do i them tët ati.

-Thuaji, ai do më lerë. Pikë e zezë, te shoqja po shkoj sikur po shkoj te burri.

-Po është larg moj me kë do vesh ?

-Me Jonën.

-Mirë po mos u vono shumë. Ti do më plasësh mua.- ishte me fat që ishte fëmijë i vetëm e nuk kishte një vëlla për tia vështirësuar jetën në atë skëterrë ku jetonte, e ajo kishte qënë gjithnjë ndryshe në disa aspekte krahasuar me Proksimën, nuk i interesonin fjalët e të tjerve dhe ua kthente gjithmonë prindërve aty ku nuk kishin të drejtë. E kishte pak të vështirë në fillim, ama më pas të gjithë u mësuan me karakterin e saj dhe nuk kishin ç'i bënin veçse t'i besonin vajzës së tyre rebele.

Veshi rrobat e para që i kapi dora, krehu flokët bjonde që shtriheshin mbi supe e nxitoi për të shkuar te Jona, shoqja tjetër më e mirë e Proksimës pas saj.

-Të lanë o Jon?

-Se mos u thashë unë. U thashë që do ik në shkollë.

-Mir ua bëre. Kështu e duan këta. Po çantën ç'do e bësh?

-Këtu ku e ka vendin- e futi në koshin e plehrave e vetëm shpresonte që atë ditë të mos kalonte makina për të zbrazur koshin.

-Ti je e çmendur. Shkojmë te shtëpia e Proksimës tani.

-Por, është në krahun tjetër.

-Te ish shtëpia.

-Përse?

-Kam në mendje shumë gjëra Jona. Mos mendo se po shkojmë kot aty.

-Çfarë?

- Do e shikosh.

***

-Eda, ç'kërkoni këtu? Besoj se e ke marrë vesh që Proksi...

- E di , e di që e martuat teta. Po erdha se do i çoj ndonjë libër, besoj se mërzitet shumë.

-Çupë nuk ke kohë te shtëpia e burrit për libra.

-E martuat, tani ç'kërkoni më? Nuk po iu kërkoj ta divorconi. Dua të hy pak në dhomën e saj.

-Shiko Eda. Po të le vetëm ngaqë nuk është Fatosi, se nuk do që të përmendet emri i saj në këtë shtëpi.

-Pse? A nuk e pastruat mbiemrin pasi e martuat?- nuk i ktheu përgjigje, se nuk kishte ç'ti thoshte. Me kaq ato të dyja shkuan drejt dhomës së saj, e cila qëndronte si më parë, e paprekur dhe bosh.

Një lot rrodhi nga sytë e Edës, se kjo dhomë kishte qënë dikur mbushur tërë jetë, kurse sot, kishte vdekur, bashkë me shpirtin e saj.

Në çantën e shpinës, futi telefonin e Proksimës, i cili qëndronte mbi komodinë e disa libra të rastësishëm që dora i kapi. Fatmirësisht askush s'e kishte marrë telefonin, e ndoshta askush nuk ishte kujtuar pët të.

-Jona rri pak këtu në dhomë se do shkoj në tualet.

U largua për t'u kthyer përsëri pas disa minutash.

Me kaq dolën e në korridor e u has me siluetën e vëllait të saj, të cilit i hodhi një vështrim përbuzës. Kishte marrë vesh për alurimat e saj atë natë nga dora e këtij barbari të pamëshirshëm.

-Eda, përse ke ardhur?

-Për sytë që të të plasin e të të dalin gugullamka.

-Ç'thua moj?

-Injorant. Mirë prindërit që janë ende me të vjetrën, po ti si nuk je evoluar aspak po ke mbetur në fazën midis majmunit dhe njeriut. Ti vërteton teorinë që njerzit e kanë prejardhjen nga majmuni.

-Je në vete? S'po të them gjë vetëm se të kam konsideruar si time motër.

-A, si atë motër që e degdise në atë gjendje? Apo meqë më ke konsideruar si motër do më rrahësh e mua për vdekje?

-A mos kujto se je kaq e pafajshme zonjë. Se ju e prishët nga mendtë atë.Mos kujto se nuk e di për Flavion.

-Shiko, se jeta ime është imja ty nuk ka ç'të duhet.Qepe gojën nëse s'do t'i them Flavios të t'i thyejë hundët. Proksima nuk ishte e prishur nga mendtë, se nuk bëri ndonjë gjë gabim, po gabimi i saj më i madh ishte familja që i ra për pjesë.

-Aman moj aman, pse ç'mendon ti, se yt atë po mori vesh që je e lidhur do të të japë medalje ari?

-Punë për mua ajo. Ty jazëk të qoftë për atë që i bëre motrës. Mos qofshin vëllezrit si ty!- me kaq u largua duke tërhequr për dore Jonën e cila kishte ngrirë e kishte mbetur si hu nga guximi i shoqes së saj. Gjithmonë e kishte ditur që nën petkun ëngjëllor të asaj bjondje flinte bisha vetë,ama faj nuk kishte. Ishin shoqe fëmijërie e ishte mëkat t'i quaje shoqe, se gjithmonë kishin qënë të pandara, kishin qënë motra. Ajo nuk fliste kot, kur i thoshte Proksimës se për të do ua thyente hundët të gjithëve atyre që do e mërzisnin. Tashmë kishte ardhur koha të mbante fjalën e saj.

Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro