7
Si filloi, ne nuk ditëm të ndaleshim, e na dukej sikur nën krahë mbanim botën, pa e ditur që kjo botë mund të rrëshqiste me një të kërcitur të gishtërinjëve. Nuk u desh shumë kohë për ta kuptuar ama. Gjithçka mori të tatëpjetën, kur realiteti na tërhoqi prej këmbe.
-Pse ike në të vërtetë mama?
Për vite e kisha bindur veten se tërë veprimet e saj, ishin të justifikueshme. Që ishte normale të mos ndalje së jetuari për veten, për shkak të përgjegjësive që të mbijnë në duar. E gënjeja kështu veten që tërë ai boshllëk moskujdesje dhe dashurie e humbur të mos ngjasonte si një grumbull errësire. Nuk doja kurrsesi të bartja një të tillë për gjithë jetën.
-Aso kohe isha e mbushur me mllef. Yt atë nuk ishte njeriu me të cilin unë isha dashuruar. Ishte aq i pavullnetshëm dhe përhumbej shumë shpejt. Unë nuk e kisha menduar që pas martese të merresha si e mirëqenë. Ai nuk kujdesej asnjëherë për ju, gjithçka mbetej në shpatullat e mia...
-E kjo ishte një arsye më e madhe se ne, se familja jonë?
Sytë na ishin skuqur, gati për të derdhur lotë. Mua më rrihte zemra akoma prej malli e frika mi kishte ngrirë gishtërinjtë e duarve. Isha në ankth e veç përgjigja e saj do më zgjonte prej kllapie.
-Ajo nuk ishte jeta që unë kisha ëndërruar.
Nuk foli më. U struk në kuzhinë duke pastruar nja dy vazo të mëdha porcelani me një fytyrë të zbehtë. Bri qëndronte i palëkundur në anën tjetër me tulipanët në duar. Sytë e tij tregonin keqardhje, e me fjalë ishte akoma edhe më i tmerrshëm. E dija që do përpiqej të më ngushëllonte, dhe unë do përpiqesha të zbrasja dufin tek ai. Kështu ishte shoqëria jonë, prandaj unë vendosa të largohesha. Tërhoqa çantën e shpinës prej tavolinës së drurit duke rrëzuar një panoramë të cilën e mallkova se nuk më vendoste mua në korniza dhe u fsheha në një bar dy rrugica të gjata më poshtë.
"Duhet patjetër ta pastrosh rulotën."
Djali i liqenit kishte nisur një foto të tijën brenda rulotës tonë. Ishte shtrirë në dysheme, e pasqyrat i përplasnin shëmbëllimin rrezeve të diellit. Mirëpo unë nuk isha në humor të merresha me askënd, kështu që e shuka telefonin në xhepin e pasëm të xhinseve kadife dhe rrëkëlleva me të shpejtë dy gota me vodka. Me të dehem më shpejt.
Po më dilte zemra vendit prej mendimit se nëna ime mund të mos më ketë dashur asnjëherë. Po qaja prej pikëllimi. Unë isha edhe pakëz e zemëruar se isha më e vogël se ëndërrat e time mëje. Kjo gjë më bënte konfuze.
"Qelbet erë orgjie pleqsh e komposto portokalli..."
Isha mjaftushëm e pirë, kur vendosa të flirtoja me djalin e liqenit. Aq e trullosur sa për t'u zemëruar me këdo e për t'i dërguar në djall. Vendosa t'i ktheja përgjigje ndërkoha që mundohesha të gjeja një vend për tu ulur. Fushat me tulipanët shumëngjyrësh t'i merrnin sytë. Ishin tejet përrallorë e në linjë perfekte sa më bënin jo vetëm të mos i pëlqeja por të më neveriteshin.
"Shpresonim që kompostot të zbutnin erën e kockave të thyera."
"Duhej ti kishit vendosur tërfil."
"Tërfili i tharë ka aromë vanilje... më mirë kockat."
"...po thoja që aroma e tërfilit sjell kujtimet e të qënit në shtëpi xp"
"Do të shohësh diçka?"
"Foto të orgjisë në rulotën e gjyshit tim të gjorë?"
"Liqeni atje është shumë herë me i bukur edhe pse shelgu është krejt i tharë."
Në foton që i nisa dalloheshin flokët e mi mbi tulipanët e përthyer. Dallohej edhe trishtimi që kishte zënë kore në fytyrën time e sytë gati të mbyllur prej pijes.
"Paske qarë?"
"Hahaha jo jam thjesht e pirë."
E gënjeva e më pas i shkruajta që dua të kthehem në shtëpi duke bërtitur që atje nuk ka një shtëpi në të cilën të kthehem. Më pas qava derisa më mori gjumi.
Unë mund të jem edhe e marrë. Shpesh herë e gjej veten duke ëndërruar me sy hapur. Ëndërroj sikur një ditë jam e lumtur e aty zgjohem prej ëndërrimeve, sepse pas dritave të ylberit pres gjithnjë reshjet.
Mbaj mend një vjeshtë të hidhur kur vendosa të lexoja një nga historitë që pata shkruar gjatë verës, përpara klasës time pa e vrarë mendjen për nja dy vajza që zgërdhiheshin, sepse asokohe mendoja se isha më e bukur se ato e kjo kishte një rëndësi të madhe. Ishte një bllok i trashë me kapakët e shqyer i tëri i lyer me bojë blu. Në të kisha shkruar një histori arratisje dhe aventurash të një vajze që mbetet jetime. Gjëja më e madhe që ajo do të bëjë pas vdekjes së gjyshes është të udhëtojë e përgjatë mbijetesës t'i japë mundësinë vetes të jetojë.
Profesori i letërsisë më përgëzoi për tregimin e gjatë, e me kujdes më udhëzoi të shkruaja për gjëra më të rëndësishme. Të trajtoja ngjarje më prekëse, gjëra më të mëdha.
Unë mund të jem një e marrë, e cila jeton në çdo histori që fsheh në blloqe pa kapakë, e cila përtej bojës nuk është më e rëndësishme se ëndërrat e askujt.
Kur u zgjova dielli i perënduar ishte mbuluar prej reve gri që premtonin shi. Mbi krye telefoni cingërinte papushim. Pija akoma nuk më kishte dalë, e ndjeja kokën të rënduar dhe gjuhën të mpirë. Mezi arrita të përgjigjesha në telefon.
-Ku dreqin je Emma, për atë zot!
Isha e bekuar me një mik të tillë. E gjëja më e çuditshme është që unë nuk doja të isha më e rëndësishme se ëndërrat e tij.
-E mbuluar me të vjellë në fushën përballë lokalit. Eja të më marrësh para se dikush të sjellë policinë!"
-Do të të vras o Emm'!
U shtriqa duke mos ia hequr sytë tulipanëve që putheshin me tokën dhe u shtriva edhe një tjetër herë dy hapa më tej. Si për dreq më kapi një e qeshur kur mu kujtua sa u shamë unë e babai kur ai mori vesh për liqenin e pikturuar pas pasqyrës në dhomën time.
________________________________________
An: jam gjallë...
Depresioni është në nivele statike dhe frymëzimi po na lë shëndenë.
Ju puq
Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro