8
➺❧➺❧✿❀➺❧➺❧
"Aleks po përshkon SHBA-në me makinë, nën shoqërinë e Xhorxhit, vëllai i vogël i së shoqes. Të dy janë drejtuar për në San Francisco, ku gruaja i pret në shtëpinë e re. Gjatë autostradës, djaloshi vë re një furgon që i ndjek vazhdimisht dhe, si për shaka, imagjinon të bëhet fjalë për FBI-në. Por ngadalë ngadalë argëtimi transformohet në terror: kush i ndjek është në fakt një psikopat, i vendosur për ti eliminuar. Policia tregohet indiferente ndaj denoncimit të bërë nga Aleks dhe ndërkohë i marri i arrin në Kaliforni."
Libri i tij këtë herë ishte më i trashë. Dean Koontz do të na dhurojë më tepër aksion, dhe vrasje, sigurisht. Mendoj se ai që do të vdesë do të jetë djaloshi ose ndoshta që të tre. Psikopati ka për të mbaruar atë që nisi dhe i lumtur do të kthehet në shtëpi për të pirë çaj.
Nuk kisha shumë minuta që isha zgjuar nga gjumi dhe vendosa ti hidhja një sy librit të ri që kisha marrë me vete për ta lexuar. Kaloj gishtat nëpër faqet e para por pa lexuar asnjë fjalë. Nuk do e nisja sot. Nga qielli jashtë dritares mund të tregoje që ishte më në fund pasdite. Rri disa minuta ashtu shtrirë pa bërë asgjë.
Nga zhurmat që vinin jashtë derës kuptohej që Morgani po përgatiste gjithçka. Shumë dembele për të shkuar dhe për ta ndihmuar kështu që thjesht rrotullohem nga ana tjetër e krevatit.
Nuk dua të shkoj aspak te "Bari i thatë". Atë e bënim dikur si familje, të gjithë bashkë, tani nuk ka më kuptim por nuk kisha ç'ti bëja.
"Ruth!" Ajo thërret që nga dhoma tjetër.
Mund të bëj sikur jam ende në gjumë por e di që nuk ka për të funksionuar, ajo ka për të ardhur me vrap dhe ka për të shkundur derën nga vendi...tamam si tani.
"Hajde se kam bërë gjithçka gati." Ajo hapi derën furishëm me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë.
"Që tani?" Shfryva. Në fakt kjo do të thoshte në gjuhën time: Të lutem Morgan nuk e kam aspak me qejf, më lër të fle, mirupafshim.
Mendja e saj është antiplumb, kundra ujit etj. Mund ta tregoje nga shprehja e fytyrës që mbeste e njëjtë.
"Ruth e ke idenë sa jam lodhur për ti bërë gjërat gati? Për ti nxjerrë nga papafingoja? Për ti pastruar dhe rregulluar? Kam bërë dhe disa panine. Jam lodhur shumë. Kam bërë gati edhe çantën tënde gjithashtu, tani çohu dhe bëhu gati." Më paralajmëron para se të dalë.
Rastësisht vendos dorën në bark. Puna e shtatzanisë është kaq e pabesueshme sa më duket joreale. Ndoshta është e gjitha një shaka e sajuar nga mendja e saj e sëmurë. Sa më shumë e shihja aq më shumë më neveritej ideja e saj si nënë.
Zbres poshtë pas saj. Nuk bëri aspak shaka kur tha se gjithçka ishte gati. Dukej shumë krenare për atë çfarë kishte bërë dhe shumë e emocionuar për atë çfarë do të bënim. Në dysheme qëndronin dy çanta shpine të mëdha dhe një çantë tjetër dore.
Pa humbur kohë ajo vendos çantën mbi shpinë dhe një kapele mbi kokë. Ashtu e buzëqeshur del nga dera.
Shkoj të marr një jelek në dhomë dhe kthehem sërish. Nuk kisha si të mos vija re shishet me alkool mbi tavolinën e sallonit. Ajo kishte pirë sërish sot.
Vesh këpucët, marr çantën e shpinës dhe e ndjek nga pas. Nuk vras mendjen për derën e pakyçur të shtëpisë por rris hapin për të arritur Morganin.
Perëndimi i diellit ishte mahnitës. Rrotullohem me kokën lart për të parë sesi dukej qielli sot. Nga njëra anë çdo gjë ishte portokalli dhe e bukur nga ana tjetër kishte shumë re të zeza që po afroheshin dhe dukeshin të frikshme.
"Këtej Ruth. I bie shkurt." Më thërret teksa kapërcen një gardh.
"Më duket se do bjerë shi Morgan." I them e frikësuar.
Ndalon një sekond për të parë lart dhe më pas vazhdon të ecë. "Mos ki frikë nuk ka për të rënë. Ndërkohë bëjmë mirë të nxitojmë pak se përndryshe na zë nata."
Morgan ecën shpejt dhe pa folur. Zakonisht ajo nuk është tip që flet rrugës por tani kisha nevojë më shumë se kurrë ti dëgjoja zërin.
Kaluan minuta ashtu në heshtje ku çdo gjë që dëgjohej ishin hapat tona. Pak nga pak po i afroheshim kodrës së "Barit të thatë" kur papritur një bubullimë e fortë më bën të hidhem përpjetë. Dielli tashmë kishte perënduar dhe qielli ishte mbushur me re. Ne ende nuk kishim mbërritur dhe shiu po fillonte.
"Nuk do ishte më mirë sikur të ktheheshim Morgan? Po bie shi. Është e pamundur të kamposh me një mot si ky."
Ajo më kap dorën. "Forca Ruth. S'kemi edhe shumë, do ja dalim."
"Dëgjove gjë nga ato çfarë thashë?" E pyes gjithë nerva. "Do bjerë shi. Është e pamundur." Ndaloj papritur ngjitjen.
"Është shi i vogël, do pushojë dreqi ta hajë." Thotë teksa më tërheq. "Vazhdojmë."
Megjithatë qielli nuk tregonte të njëjtën gjë. Një stuhi e madhe po afrohej dhe ne ndodheshim mes një pylli.
Arrijmë në destinacion. Morgani fillon e kërkon për një vend.
"Ky duket perfekt Ruth." Ndodhej disa metra larg meje duke bërë me dorë vendin që zgjodhi pastaj kthehet dhe më sheh mua, që nuk kisha lëvizur aspak nga vendi "Çfarë ka?" Më pyet si pa të keq.
Nuk shihte se flokët po më pikonin ujë? Nuk shihte që po lageshim? Ose më saktë, nuk ndjente gjë? Nuk dëgjonte shiun që furishëm godiste tokën? "Bari i thatë" po shndërrohej në "Bari i lagur dhe me baltë".
Ajo ul çantën në tokën e baltosur dhe nxjerr prej andej me kujdes tendën. I mban shkopinjtë e hekurit në duar dhe i numëronte.
Në mënyrë të dëshpëruar ajo po përpiqej të ngrinte tendën në mes të një shiu të madh. Ishte bërë qull e gjitha por ende nuk e kuptonte çfarë po ndodhte. "Bari i thatë" ishte krejtësisht bosh. Ne ishim idiotet e vetme që kërkonin të bënin kamp në një stuhi të tillë. Në errësirën që po mbulonte pyllin gjithçka që bënte dritë ishin shtëpizat prej druri. Aty me siguri po festojnë disa turista, mund të tregohej nga muzika që vinte. Të paktën janë duke qëndruar të thatë, të ngrohtë dhe të gëzuar.
"Eja më ndihmo Ruth. Pse më rri aty?" Thërret ajo.
Pse nuk e kuptonte vallë?
"Mos u trego e marrë Morgan por eja kthehemi në shtëpi përpara se të na zërë më keq nata. Po lagemi që të dyja dhe po bëhemi me baltë. Shiu nuk ka për të pushuar sonte dhe ajo tenda nuk ka për tu ngritur. Kthehemi përpara se të marrim ndonjë të ftohur më mirë."
Asaj nuk i pëlqyen aspak fjalët e mia. Përgjigja e saj ishte një tundje koke. "Jo. Do e ngrej tendën patjetër. Do kënaqemi sonte. Do shohim yjet dhe do flasim..."
Shkoj me hap të shpejt drejt saj dhe e tërheq me forcë. "Nuk ka yje sot harroje, ka vetëm shi moj e marrë. Nuk bëhet asgjë sonte. Eja me mua dhe shkojmë. Mos u trego kokëfortë."
Po më humbiste durimi. Po filloja të kisha ftohtë dhe frikë. Do bënim mirë të shkonim sa më shpejt në shtëpi. Dora e saj shkëputet dhunshëm nga e imja. Ajo kthehet tek tenda e pashpresë në tokë dhe përpiqet sërish ta ngrejë.
"Ruth eja më ndihmo!" Gjithçka që thotë.
Ajo është e çmendur. "Në rregull Morgan. Bëj si të duash, unë po shkoj në shtëpi. Nuk duroj dot asnjë sekond më tepër këtu!" Ulërita gjithë nerva.
Largohem me vrap duke injoruar thirrjet e saj. Nuk e di pse është kaq e fiksuar. Përse do kaq shumë të ndërtojë atë tendë në mes të shiut? Ajo është idiote, e marrë, e lajthitur dhe shumë gjëra të tjera. Vazhdoja ta shaja nëpër dhëmbë teksa largohesha. Sillet ende si një fëmijë i llastuar.
Nuk dija me siguri rrugën e kthimit, ishte bërë natë, nuk kisha as elektrik dore, shiu binte furishëm dhe rruga ishte e gjitha me baltë. Si për mos të mjaftuar më fillon dhe dhimbja e kokës. Ulem në gjunjë për disa sekonda e lodhur. Nuk e kisha idenë sesi do kthehesha në shtëpi sonte dhe Morganin deri atëherë do e ketë gllabëruar ndonjë ari.
Papritur rruga ndriçohet nga disa drita të forta. Një makinë po afrohej. Tani që shihja më qartë kuptova që ndodhesha në mes të rrugës. Çohem dhe vazhdoj të eci. Tashmë pikat e shiut nuk po më bënin më përshtypje.
Makina ndalon jo shumë larg meje dhe prej saj dalin dy persona të cilët po më afroheshin...
➺❧➺❧✿❀➺❧➺❧
Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro