Pjesa 15.
Rubensi ishte larguar duke e lënë atë zhytur në mendime rreth tij, rreth saj dhe rreth lidhjes së tyre dhe transformimeve që ajo lidhje kishte pësuar.
Pasi kishte lajmëruar të ëmën, ishte veshur nxitimthi dhe tashmë e kishte gjetur veten duke u hallakatur rrugëve të Tiranës atë mbasdite fund-dhjetori.
Habitej sesi mbushej me frymë mes papastërtisë së rrugëve kryeqytetase, por në këtë periudhë të vitit, asaj edhe papastërtia, edhe pluhuri i dukej sikur vishnin atë atmosferën festive, visheshin nga acari dhe aroma e ftohtë dhe nuk mund të nuhasje gjë tjetër veç aromës së borës që tashmë kishte filluar të shkrinte. Shikonte qirinjtë e krijuar në ndonjë qoshe shtëpie, teksa pikonin pik-pik e dukej sikur pikat arrinin njëra-tjetrën e ajo qëndronte aty, duke u munduar të arrinte mendimet e saj dhe t'u shpallte luftë. Sa shumë që mendonte ajo vajzë!
I kujtohej viti i fundit i gjimnazit, ende s'i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat, ishte tetor kur shoqja e saj e ngushte e kishte vënë në dijeni që një djalosh kishte ditë që e ndiqte me sy, por ajo nuk ia kishte vënë veshin. S'kishte qënë më parë në një lidhje dhe as që donte të ishte, sepse ishte tërësisht e përqëndruar te shkolla, mirëpo kjo nuk kishte zgjatur për shumë kohë.
Pas disa javësh e kishte gjetur veten duke pirë kafe me djaloshin dhe shoqërinë e saj, pasi kishin pasur miq të përbashkët e midis tyre ishte dhe shoqja, e cila kishte dalë kushërira e tij e dytë. Kishin shkëmbyer numrat e telefonit duke biseduar në whatsapp,më pas kishin filluar të dilnin vetëm nën shoqërinë e njëri-tjetrit dhe ishte pikërisht ajo ditë e ftohtë janari ku ai i kishte kërkuar të ishin më shumë sesa shokë. E rrëmbyer nga emocionet dhe ndjenjat e çastit kishte pranuar dhe po atë ditë kishte dhënë puthjen e parë.
Që nga ajo ditë kishin qënë thuajse çdo sekondë bashkë, ai ia kushtonte gjithë kohën asaj dhe ajo atij. Dukej sikur ishin bërë për njëri-tjetrin dhe ai e kuptonte për çdo gjë. Kur ishte pranë tij, ajo ndihej sikur ishte në shtëpi, sikur ai ishte familja e saj e, kur kishte atë nuk donte shoqërinë e askujt tjetër. Kështu kishte qënë deri para pak kohësh, por tani dukej sikur kishte ndryshuar.
Ai ishte larguar. Ai vetë kishte zgjedhur të ftohte mardhënien e tyre duke i hedhur grimca acari, duke i qëndruar larg asaj. Dukej sikur tërë ngrohtësia që dikur shpirtin ia vishte ishte zëvëndësuar nga ajo dëshirë e pashtershme për para. Para! Gjithçka të bëhet për para...
Kishte kohë kështu, por që kur kishte marrë vesh që ajo ishte e sëmurë me kancer ai kishte ndryshur rrënjësisht sjelljen. I fliste rrallë, nuk i afrohej dhe ajo dalëngadalë pa e kuptuar ishte larguar. Përse? Përse nuk u largua njëherë e mirë kur ajo i tha? Do e vriste më pak, sepse të vdesësh ditë për ditë nga pak është më e vështirë dhe e dhimbshme, sesa të vdesësh njëherë e mirë. Ajo po e përjetonte një vdekje të tillë me kancerin, s'kishte nevojë për një kancer të dytë të cilin mund ta emërzonte si Rubens.
Tashmë ajo nuk ndihej më rehat në praninë e tij. Ndihej në siklet, sikur të ishte duke qëndruar me dikë të panjohur. Donte t'i qëndronte larg, por kur nëpër mend i sillte këto mendime, ndihej fajtore, sikur ato mendime të ishin duke e tradhëtuar Rubensin dhe dashurinë e tyre. A ishte dashuri?! Po sikur ata thjesht sa ishin mësuar me praninë e njëri-tjetrit dhe tashmë e kishin të vështirë të ndaheshin?
S'e kishte kuptuar sa kohë kishte që qëndronte e dalldisur në mendime, ulur në atë stol të verdhë e për sa kohë kishte që shiu kishte filluar. Dielli i ftohtë dhjetoresk maskuar pas ca pseudorrezeve,ishte fshehur pas reve gri që kishin pushtuar atë copëz qielli që qëndronte mbi të.
U ngrit dhe u nis drejt shtëpisë, ndërkohë që shiu tashmë binte me rrëmbim sikur donte të pastronte çdo copëz akulli që kishte mbetur në ndonjë trotuar.
Si për fat kishte qënë goxha larg shtëpise dhe nuk kishte me vete as ndonjë të hollë që të hynte në ndonjë lokal, pasi ishte larguar vetëm për të shëtitur. Tani e gjeti veten duke ecur nxitimthi rrugëve të lagura, ende të pangopura me shiun akull të ftohtë dimëror.
Flokët dhe rrobat i ishin ngjitur pas fytyrës dhe kishte filluar të dridhej, teksa buza i ishte bërë mavi. Më në fund arriti në shtëpi dhe që me trokitjen e dytë e ëma i hapi derën sikur të kishte qënë pas saj duke e pritur të bijën sa në ballkon e sa në korridor.
-Pupu me çupë! Ç'qënke bërë kështu.- fliste teksa mbyllte derën dhe e shikonte të bijën nga koka te këmbët.-Do marrësh ndonjë plevitë.
-Ç'të bëj o ma? Zuri shiu.
-Po hyje në ndonjë strehë e prisje deri të mbaronte.
-Hë se nuk ka gjë.
-Ik ndrrohu, shpejt edhe hajd të pish një gotë të nxehtë me qumësht.- e urrente qumështin dhe sidomos të nxehtë, kështu që vetëm sa shtrembëroi buzët dhe shkoi drejt dhomës së saj duke hequr me pak mundim rrobat e lagura që si duket preferonin të qëndronin në trupin e saj. Ishte bërë e tëra akull dhe pasi veshi pizhamat e saj të ngrohta, ende ndihej kaq e ftohtë. Fshiu flokët që kullonin me peshqir dhe pasi veshi pandoflat fëminore me arush, shkoi në sallon ku pa se në tavolinë e priste gota me qumësht.
-Nuk e pi o ma.
-Pse bën si fëmijë? Flokët pse s'i thave?
-Më digjen.
-Do plevitosesh.
-Daniela ku është?
-Te ditëlindja e Teridës.
-Babi s'do vijë sot?
-Qëndroi në Maqedoni.
-Mirë. Ika të fle unë, natën!-u ngrit nga divani duke hequr telefonin nga karikuesi. E puthi në faqe të ëmën që qëndronte me një pamje të shqetësuar në fytyrë, ende duke mbajtur gotën në dorë dhe shkoi u hodh në krevat.
Mori librin me kopertinë të zezë, që sapo e kishte blerë,t'i hidhte ndonjë sy ,por që gjumi papritur e zaptoi. Kapakët e syve po i ndiente të rëndë sikur të ishin duke i shpallur luftë dëshirës së brendshme për të lexuar. Mbyllja e syve në ato çaste po i dukej si vetë parajsa dhe nuk ia hoqi vetes atë ndjesi.
***
Mesnata kishte kaluar dhe instikti amëror e gërryente brenda. Ishte e shqetësuar për të bijën dhe shkoi në dhomë për ta kontrolluar.
Hapi dritën dhe ajo nuk u zgjua, çka e bëri të shqetësohet edhe më tepër. Kishte një gjumë të lehtë që e bënte të zgjohej dhe kur hapej dera, por vendosi tia lerë fajin gjumit të parë, i cili ishte gjumi më i rëndë.
Kur ia pa flokët ende të njomura t'i qëndronin mbi shpinë tundi kokën dhe u përkul për t'i vendosur buzët në ballë. Për një moment iu duk sikur i kishin marrë flakë. Tentoi ta zgjojë, por mbeti vetëm një tentativë. Ishte si atë ditë kur për herë të parë e kishte çuar në spital dhe kishin marrë vesh për leuçeminë. I hoqi jorganin duke e lënë zbuluar dhe nxitoi drejt komodinës për të marrë termometrin.
Ishte vetëm në shtëpi, me kë do e çonte? I vetmi person që i erdhi në mendje ishte Rubensi. E telefonoi dhe ai u përgjigj me zilen e parë, si dukej kishte qënë me telefon në dorë.
-Rubens, bir, të zgjova?- flistte me zërin që i dridhej dhe ai e vuri re këtë.
-Jo, po lere këtë. Çfarë ka ?
-Samanta...
-Çfarë?
-Ka temperaturë.
-Oh zot, për një moment ku s'më shkoi mendja.- shfryu i çliruar se për një çast i ishin kujtuar fjalët e asaj pasditeje, ku ajo i kishte thënë se as e tashmja nuk ishte e sigurt për të e jo më e ardhmja.
-Është keq. Nuk përmendet. Duhet ta çojmë në spital.- fliste ajo teksa hoqi termometrin nga ajo dhe pa se kishte arritur 40 gradë.- Është me dyzet.
-Erdha, erdha.-mbylli telefonin dhe u vesh shpejt e shpejt teksa pa i thënë askujt nga familja e tij rrëmbeu makinën dhe u nis drejt shtëpise së Samantës. Ishte i shqetësuar. Po sikur fjalët e fundit që kishin shkëmbyer midis tyre të ishin ato të një lamtumire të pathënë,por të ndierë? Do i mbetej peng në zemër...
***
E kishin çuar te urgjenca menjëherë dhe kishte qëlluar që atë natë doktor Orgesti kishte qënë turni i tretë. I kishin bërë serume dhe me shumë përpjekje i kishin normalizuar temperaturën e trupit dhe frekuencën e lartë kardiake.
Rubensi shikonte nga xhami i derës dhe kur kishte parë se kush ishte doktor Orgesti gjaku i kishte vluar e ishte bërë vetë ai për spital. Ç'punë kërkonte ai doktor i pashëm në spital? Ishte për të shëruar njerëz apo për të bërë paradë mode? I ishin kujtuar fjalët e Danielës dhe se ai kishte qënë sebepi i sherrit atë pasdite me Samantën dhe shtrëngonte fort grushtin, teksa shikonte që ai sillej rrotull saj me një pamje të shqetësuar në fytyrë.
Më në fund doktori doli nga dhoma e saj dhe ishte i detyruar që të fliste me të edhe pse qejfi s'ia kishte fare.
-Si është ajo doktor?
-Dhe ju jeni?-ia ktheu mëse serioz pasi e kishte vëzhguar imtësisht nga koka te këmbët duke ngritur vetullën dyshues në fund.
-I dashuri i saj.- kishte shpallur tërë mburrje sikur të kishte gjetur rastin t'i tregonte se ajo ishte e tij. Orgesti mblodhi hundët ndoshta i pakënaqur për këtë fakt, por nuk e dha veten.
-Duhet të flas vetëm me familjarët e saj.
-Unë jam pjesë e familjes.-këmbënguli me të tijën edhe më shumë i nevrikosur.
-Keni të njëjtin mbiemër?
-Jo, por s'ka rëndësi.
-Nga ta di unë që s'po gënjen ti? Ka ndonjë të afërm këtu?- e shpërfilli vëzhgimin e tij të nevrikosur dhe po shikonte rreth e rrotull derisa sytë i zunë të ëmën e saj, të cilën e njihte mjaft mirë që qëndronte e përhumbur ulur në stolin gri e të ftohtë të spitalit.
U ul pranë saj dhe sapo ndjeu praninë e dikujt tjetër ajo e pa drejt e në sy, me ato sy nëne të zaptuar nga frika që reflektohej nëpërmjet lotëve të nxehtë.
-Si është ajo doktor?- zëri i dridhej, gjithë trupi po ashtu. -Do bëhet mirë, apo jo?
-Mirë është. U stabilizua.-mbante një pamje neutrale në fytyrë dhe pse shpirti i buzëqeshi sapo pa rizgjimin e shpresës së humbur në sytë e asaj zonje.-Ka marrë një ftohje të lehtë. Për të mirën e saj është që të qëndrojë disa ditë në spital.
-Ka ndonjë gjë serioze dhe s'ma thoni doktor?
-Jo, absolutisht. Vetëm se ashtu si kisha lajmëruar, organizmi i individit është shumë delikat në këto ditë pas kemioterapisë dhe si duket Samanta nuk i paska zbatuar porositë që i kam dhënë, kështu që do ishte mirë ta kisha vetë nën kontroll për disa ditë.
-Pse ne s'e mbajmë dot nën kontroll po ta mbash ti?- ishte Rubensi ai që i acaruar kishte folur.
-E pashë.
-Lere bir, është doktori ai e di më mirë.
-Kujdesemi vetë për të ne, mama.-theksoi fjalën e fundit për t'i kujtuar doktorit pozicionin që ai kishte.
-Nuk e merr dot pa lejën time.
-Përse? Kush je ti që më ndalon?
-Doktori i saj. Po ti që kundërshton kush je?
-I dashuri i saj.- e pa dhe lëshoi një nënqeshje ironike duke e lënë të nakatosej me fjalët dhe mendimet e tij. Teksa i uronte të ëmës së saj të shkuara, u largua prej tyre duke ecur kryelartë nëpër korridoret e spitalit, duart futur në xhepat e përparëses së tij kartë të bardhë.
-----------
E di që kësaj here ua vonova cik updaten, cik si shumë domethënë, po ma falni ju mua se jeni zemërmirë. Ama, ju premtoj se këto ditë do provoj të bëj update çdo ditë.
Shpresoj tiu pëlqejë pjesa dhe deri në pjesën e ardhshme ju përqaputh fortt!!♥
-Arvi
Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro