1 tetor.
Vjeshtë...Supozohet që shpirti im i artit të jetë në kulmin e ekspresivitetit të vet, por në fakt është në kulmin e vajtimeve te brendshme.
Tetor, 1, datë e mallkuar, e përzënë nga vetë kalendari. E përzënë nga vetë koha. Datë e ç'rrënjosur nga galaktika, datë e gërvishtur nga shpirti im. Datë e paardhshme!
Sa do doja të kisha fuqinë! Të kisha fuqinë e ndonjë perëndie të lashtë, e të kthehesha vite më parë, të riprogramoja dhe njëherë kohën, të riorganizoja fatet e njerzve dhe ndoshta atëherë...Nuk do kisha vendosur kurrë një '1 tetor'.
Sikur të mundja tetori do të kishte 30 ditë, tetori do të fillonte në ditën e tij të dytë.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, unë do isha e lumtur, do isha e plote.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, unë nuk do kisha nevojë për buzëqeshje fallco, do isha e qeshur.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, ti do jetoje, unë nuk do vajtoja tërë jetën për ty.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, nuk do më dridhej buza kur përmendej fjala 'babi', sepse do e shqiptoja dhe unë.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, zemra e një nëne nuk do vritej përjetësisht, një bashkëshorte nuk do vishej me të zeza, tre fëmijë nuk do rrinin me kokë mënjanë tërë jetën.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, nuk do shikoja mëshirë në sytë e njerzve, do shikoja vetëm zili, zili për lumturinë.
Ah, sikur! Sikur të mos kishte 1 tetor, nuk do qaja sa herë që një fëmijë humbte prindin, se nuk do e dija si është kjo dhimbje.
Ja që nuk mundem. Nuk mundem dhe rri vajtoj në heshtje, e më pas me ca angullima të përvuajtshme të cilat i dëgjojnë vetëm muret e shpirtit tim. Rri vajtoj 1 tetorin e 2012, një tetorin, hajdutin e lumturisë sime, hajdutin e plotësisë.
1 tetori bëri të mundur që unë mos ndihem kurrë e plotë, që gjithmonë të ketë një psherëtimë të thellë brenda meje, që gjithmonë të ndiej pambarimisht mungesën e dikujt.
1 tetori bëri që pas çdo buzëqeshje time, të fshihet ndonjë kokërr loti, pas çdo dite të lumtur të ketë një mesnatë mbushur me lot e kujtime.
1 tetori bëri që ta dua të shkuarën më shumë sesa të tashmen dhe të ardhmen. Bëri që të rijetoj dhe njëherë çdo ditë të kaluar vetëm e vetëm që të rikujtoj ato momente të vyera, që të kënaqem me të tashmen.
1 tetori bëri që të imagjinoj një jetë ndryshe nga kjo që jam duke jetuar, të kërkoj për të pamundurën.
1 tetori bëri që të flas me qiellin, hënën e yjet. T'u përgjërohem që ta kthejnë këtë realitet që jam duke jetuar në ndonjë makth të shëmtuar e të më zgjojnë së shpejti duke e bërë 1 tetorin, thjesht një datë.
Si do të ishte një jetë me ty? Sa gjëra do ishin ndryshe? Sa herë do mbushesha me aromën tënde në përqafimet që më falje çdo mbrëmje?
E di sa më mungon? Nuk përshkruhet me fjalë, se fjalët mbyten me njëra-tjetrën, nuk e gjejnë forcën të përshkruajnë këtë ç'rrënjose zemre që jam duke përjetuar.
Kryqëzoj duart shpesh, kur qielli është me yje, e gjunjëzohem para një galaktike të tërë, ndoshta para gjithë universit.
Filloj të lutem, të më zgjojnë nga ky makth që jam duke jetuar, se nuk mund të duroj dot më, por më kot. Të nesërmen në mëngjes, ti nuk je përsëri, makthi ende vazhdon.
Jam lutur shpesh dhe që të largohem shpesh nga kjo botë e mallkuar. Botë dhimbjesh, botë genjeshtrash.
Jetë makabre! Jetë kriminele! Ndarëse shpirti! Jetë hajdute. Jetë mizore.
Jeta e lotëve, jeta e trishtimeve, jeta e humbjeve, jeta e mashtrimeve.
Jam lutur të shfarosem nga kjo jetë, por përsëri më kot.
Kam qënë unë ajo që jam zgjuar të nesërmen me një buzëqeshje, duke u bërë çdo ditë udhëtare e kësaj jete, e kësaj bote.
Ende nuk e besoj dot dhe pse koha ka kaluar. 7 vitet i ka marrë era. Nostalgji e çmuar!
Nga ti më kanë mbetur vetëm kujtimet, sa keq që nuk i mbaj mend të tëra, por përsëri të kujtoj.
Kam harruar timbrin e zërit tënd, kam harruar timbrin e të qeshurës sate, kam harruar aromën e përqafimeve të tua...Por fytyrën jo.
Mbaj mend dashurinë tënde,mbaj mend kujtimet e momentet e së shkuarës, të mbaj mend ty.
Sa e pamëshirshme koha! Te koha s'kam urryer kurrë mëshirën dhe vetëm ajo nuk tregon mëshirë. Vetëm ajo më godet, më rrëmben një vit më shumë nga ti.
Megjithatë, një vitë më shumë mall, një vit më pranë teje.
Ndonjëherë...Ndonjëherë më duket sikur nuk ke qënë kurrë këtu, aq i largët më duket imazhi yt.
Ndonjëherë...Ndonjëherë më duket sikur nuk je larguar kurrë...Sikur do kthehesh, se unë, qenia ime ende nuk e beson largesën tënde. Unë do të të pres...Gjithmonë do të të pres...
Çuditem me veten...Vij shpesh pranë atij mermeri që tashmë është shndërruar në folezën tënde, larg prej nesh, e përsëri nuk e besoj që ti ndodhesh aty. Unë ende shpresoj dhe kur shpresa duhet të ishte vetëvrarë, ende shpresoj kur shpresa nuk ka kuptim, ende shpresoj kur shpresa merret për të marrë, ende shpresoj se do kthehesh.
Mendoj...Shpresoj...Dëshiroj...
Më duket sikur ka ndonjë gabim. Jo! S'mund të jetë e vërtetë! Më duket sikur yjet kanë ngatërruar person, sikur nuk duhet të ishe ti,jo ti, jo,jo , jo ti!
Besoj në yjet marrëzisht, ndaj më duket sikur do e ndreqin gabimin e tyre sapo ta kuptojnë, do të të kthejnë pranë meje, do vish, do të të pres.
Tulatem...Lotoj....Lëngoj.
Marrëzira! E di që janë marrëzira! Ti je larguar për këtë jetë nga unë.
Nuk do të vish më, je bërë re pluhuri e era të ka çuar në ndonjë botë tjetër, ndoshta aty do të të takoj, por këtu...Dreq këtu kurrë!
Nuk do luaj më me ty, nuk do qesh më me ty, nuk do udhëtoj më me ty.
Nuk...Jo....Jo më...
Kohë e shkuar! Kthehu e më rimishëro në veten tënde. Bëhu rrëmbyesja ime.
Le të jetoj çdo ditë të së shkuarës, le të...
Kam ngecur keq në të shkuarën, e di. Duhet të shkëputem, po më vret...E kam të pamundur. Nuk i qëndroj dot larg imazhit tënd, nuk të qëndroj dot larg ty e as kujtimin tënd.
Nuk dua të të kem thjesht një kujtim, dua të të kem pranë.
Dua të vish të më japësh këshilla, të jesh pranë meje kur kam nevojë për ty, të jesh me mua për të më buzëqeshur në çdo hap të jetës sime. Dua të më mbash dorën kur të arrij ëndrrat e mia.Dua të qajmë bashkë, kur të martohem, dua të jem me ty, pranë teje.
Dua të më qortosh kur gaboj, dua të më flasësh si një mik në këtë moshë që jam tani, kam nevojë për ty, nevojë e paçmueshme.
Dua të më përqafosh. Dua të më puthesh e të më çposh me mjekrën tënde, dua të më ngrohësh këmbët kur jam duke fjetur e kam ftohtë, ashtu si dikur.
Dua të udhëtojmë bashkë, vetëm ne të dy në makinë, të më tregosh për vendet ku jemi shëtitur, të qash hallet me mua si të më kishe shok, të ndalosh makinën mes udhëtimin e të më mbulosh me xhupin tënd kur më ze gjumi në makinë, ashtu si dikur.
Dua të të pres zgjuar kur kthehesh vonë nga puna, të ndrroj krahun duke të pritur gjatë natës, në merak për ty, e kur të vish të vij me vrap të ta hap derën, e të më përqafosh. Të më japësh çokollatat e ëmbëlsirat që më ke blerë.
Dua të të kem pranë, të jesh pranë meje, të të kem këtu.
Sa mungesa ka pa ty! Sa bosh ndihem pa ty!
Dua, dreq sa dua! Dua shumë, por nuk mund të kem asgjë, përderisa ty s'të kam këtu...
E di ç'kam këtu?
Kam vetëm kujtimin tënd, pas të cilit kapem fort dhe përpiqem mos qaj. Kam kujtimin tënd të cilin e përdor si arsye për të jetuar.
Kam vetëm të shkuarën, me të cilën herë qaj nga mungesa e herë qesh nga lumturia që kam jetuar e nuk e kam ditur.
Kam vetëm këto lotë që më bien çurkë teksa përpiqem të lidh këto dy-tri fjalë me njëra-tjetrën, kam vetëm këto lotë që ia kalojnë dhe shpejtësisë me të cilën klikoj tastat e laptopit...
Kam vetëm brengën në shpirt.
Kam vetëm dëshirën e madhe për të të bërë ty krenar dhe do e bej, të premtoj! Do më buzëqeshësh nga qielli, do të të lotojë vetëm shpirti, se vetëm shpirti të ka mbetur nga lumturia për mua.
Kam gjithçka, por nuk të kam ty.
S'kam asgjë...
1 tetor! Mallkuar qofsh!
Nuk di ku e gjeta forcën të shkruaj këtë shkrim.Këtu kam zbuluar veten, kam nxjerrë tërë këto shkrime në pjatë të argjendtë, tani i kuptoni, kuptoni dashurinë për të shkuarën, mungesën e një personi, dëshpërimin e shpeshtë që më vesh zemrën.
Nuk di ku e gjeta forcën të shkruaj, paçka se lotët shpesh herë më pengonin shikimin e duhesha ta qartësoja për të vazhduar.
Nuk di ku e gjeta forcën, por unë vazhdoj të ec me parimin se ç'qënie e fortë paskërkësh qënë njeriu! Nuk kuptoj si mund të durojë kaq shumë, dreq sa shumë.
Sa i fortë është njeriu e nuk e di, derisa forca është gjithçka ka.
Bạn đang đọc truyện trên: Truyen247.Pro